Trump zgjedh Richard Grenellin si të dërguar për misione speciale

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka përzgjedhur Richard Grenellin, ish-shefin e tij të inteligjencës, si të dërguar presidencial për misione speciale, pozitë që duket se kërkon angazhim në drejtim të kundërshtarëve amerikanë, përfshirë Korenë e Veriut.
“Ric do të punojë në disa prej pikave më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, ka thënë Trump përmes një postimi në platformën e tij sociale, Truth Social, pa dhënë më shumë hollësi.
Grenell ka shërbyer si ambasador i Trumpit në Gjermani, si i dërguar i posaçëm për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, dhe si ushtrues detyre i shefit të inteligjencës kombëtare, në mandatin e parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, më 2017-2021.
Pas zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, emri i tij është përmendur vazhdimisht për mundësinë e përzgjedhjes për Sekretar amerikan të Shtetit, por më vonë në atë pozitë është nominuar senatori amerikan, Marco Rubio.
Trump do të marrë detyrën zyrtarisht në janar.