Trupat britanike arrijnë në Kosovë, kontingjenti do të zhvillojë stërvitje për t’iu përgjigjur emergjencave
Më shumë se 300 trupa nga Mbretëria e Bashkuar janë dislokuar në Kosovë, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR thotë se do të zhvillojnë një stërvitje rutinë. KFOR ka publikuar pamjet nga zbarkimi i kontingjentit të ushtarëve, të cilët do të zhvillojnë ushtrimet deri në fund të tetorit. Kjo stërvitje vjen si pjesë e përpjekjeve për të mbështetur sigurinë dhe stabilitetin në rajon, duke përgatitur forcat e NATO-s për reagim të shpejtë në rast të ndonjë emergjence.
KFOR-i tha se stërvitjet kanë qëllim të testojnë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre në kuadër të misionit të NATO-s. Misioni paqeruajtës bëri të ditur se stërvitjet do të mbështesin gatishmërinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur zhvillimeve të sigurisë.
Dislokimi i trupave britanike shtesë vjen disa javë pasi KFOR-i zhvilloi një trajnim mbi urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë ndërsa Kosova synon ta hapë për qarkullimin e lirë të automjeteve.
Lidhur me këtë çështje misioni i NATO-s dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që hapja e urës së Ibrit të zgjidhet përmes dialogut në Bruksel, gjë që Prishtina zyrtare e kundërshton, pasi thotë se është çështje e brendshme e Kosovës, jo e bisedimeve me Serbinë.