Tryeza për votimin nga jashtë, Celibashi: Boshllëku ligjor duhet të plotësohet sa më shpejt
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi mori pjesë në tryezën “Vota nga Jashtë: Parimet Kushtetuese, Praktikat Europiane dhe Sfidat në Kuadër të Procesit të Integrimit Europian”, organizuar nga Instituti i Studimeve Politike me mbështetjen e Ambasadës së Holandës të financuar nga Bashkimi Evropian (C1-EU-NPA).
Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, të Kuvendit të Shqipërisë, diasporës, të trupit diplomatik në vendin tonë, organizatave joqeveritare vendase dhe ndërkombëtare, të shoqërisë civile, medias, si dhe ekspertë.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte të bashkojë në një debat Kuvendin e Shqipërisë, qeverinë, partitë kryesore politike, KQZ, shoqërine civile dhe partnerët ndërkombëtarë, për të diskutuar sfidat aktuale të votës nga jashtë vendit, në prizmin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe procesit të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Diskutimi mbi votën nga jashtë merr rëndësi në kuadër të reformës zgjedhore dhe në kushtet kur Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim dhe i ka lënë detyrë Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti (vendimi 38/2022).
Sipas njoftimit për shtyp, Komisioneri Ilirjan Celibashi në fjalën e tij tha se “nëse nuk do të plotësohet boshllëku ligjor i konastatuar nga Gjykata Kushtetuese në zgjedhjet e vitit 2025 nuk do të ketë votim nga jashtë”.
Ai theksoi se “nëse Kuvendi ka vullnet politik për të plotësuar këtë boshllëk ligjor, duhet ta bëjë sa më shpejt”.
Tre ekspertë sollën kontributet e tyre profesionale mbi përvojat e vendeve ish-komuniste tashmë anëtare në BE lidhur me zgjidhjen e kësaj problematike, standardet e aplikuara në BE, si dhe impaktin dhe kontekstin aktual të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.