Turistët zgjedhin muzetë, etnografia dhe kulla e qëndresës më të vizituarat në Kukës
Muzeu etnografik në Kukës është vizituar nga qindra turistë gjatë sezonit turistik, kryesisht të huaj. Interesi i tyre është më i madh për kullën e qëndresës që simbolizon vitin 1999, eksodin kosovar. Por pavionet e muzeut, biodiversitetit, arkeologjisë, etnografisë dhe historisë cicëroni Liridon Cena thotë se e prezantojnë mjaft mirë Kukësin.
”Patjetër për tu përmendur janë traditat, doket, zakonet, veshjet popullore, oda e burrave.”, thotë Liridon Cena.
Ky kënd në pavionin e etnografisë e përshkruan gruan kuksiane me punimet artizanale që dikur kjo zonë dallohej.
”Përfaqëson gruan në sistemin komunist, gruan kuksiane që kishte një pasion të madh etnografin dhe në periudhën komuniste ju dha një hov industrisë së etnografisë dhe artizanatit.”, thotë ciceroni.
Përmes aktiviteteve në ambientet e muzeut po afrojnë edhe shkollat që nxënësit të mësojnë çfarë mbart brenda ky institucion.
“ Në festat e nëntorit shkollat vijnë dhe vizitojnë muzeun.”, thotë Liridon Cena.
Në tre muajt e verës muzeun etnografik në Kukës dhe kullën e qëndresës e vizituan mbi një mijë turistë vendas dhe të huaj.