Turizmi/ Balla: Po krijojmë një Forcë Kombëtare të Sigurisë Publike. I japim fund “historisë” së fishekzjarrëve
Teksa bëri një bilanc të punës së bërë përgjatë këtij sezoni turistik nga Policia e Shtetit, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla bëri me dije se po punohet për krijimin e një Force Kombëtare të Sigurisë Publike.
Kjo strukturë do të funksionojë brenda Policisë së Shtetit, ndërsa Balla theksoi se do të ketë të gjitha kapacitetet për të përballuar nevojat turistike të vendit, ku pritshmëria për vitin që vjen është 10 milionë turistë.
“Në këtë fazë të re që po hyjmë, nëse nuk do të jemi në lartësinë e pritshmërive të rritura të botës ndaj nesh, ky nam që kemi sot do na kthehet në bumerang. Ne kemi filluar përgatitjet për një nivel tjetër sigurie në zonat turistike. Na duhet të konceptojmë një qasje tjetër të Policës së Shtetit. Po krijojmë një Forcë Kombëtare të Sigurisë Publike, brenda Policisë së Shtetit, e cila do të jetë e gatshme dhe me kapacitet të mjaftueshme të përballojë nevojat e Shqipërisë turistike me 10 mln plus”, tha Balla.
Po ashtu, ministri theksoi se po shqyrtohet edhe kuadri ligjor ekzistues dhe se do të ketë një masë të re sa i përket fishekzjarrëve.
“Tek zhurmat do të duhet të fillojmë të trajtojmë edhe çështjen e fishekzjarrëve dhe ju njoftoj që Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit po shqyrtojnë kuadrin ligjor ekzistues dhe shumë shpejt do të vijmë me një masë të re ku historisë së fishekzjarrëve në orën 12 të natës në çdo cep të vendit do të duhet t’i japim fund”, theksoi ministri.
Balla kishte edhe dy porosi për krerët e bashkive. Ministri kërkoi investime në sinjalistikën rrugore në akset që të çojnë në bregdet apo zona turistike si dhe vendosjen e tabelave paralajmëruese në zonat me rrezikshmëri të lartë.
“Porositë e mia janë dy, e para me investimet e domosdoshme në sinjalistikë rrugore në të gjitha rrugët rrugicat që të çojën në det apo zona turistike. Ne kemi bërë një inventar të mungesës së sinjalistikës. E dyta, duhet të vendosin tabelat e tërheqjes së vëmendjes apo ndalimit në zonat me rrezikshmëri të lartë. Viti që kemi përpara do të jetë një provë zjarri për Shqipërinë turistike”, tha Balla.