Turizmi në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuar, të përjashtuar për shkak të mungesës së aksesit
Shqipëria është shndërruar në një destinacion të preferuar për vizitorët e huaj. Ndonëse ofron një mori atraksionesh turistike, shumë prej tyre nuk janë të aksesueshme nga personat me aftësi të kufizuar.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 16% e njerëzve nё botё jetojnë me një aftësi të kufizuar, dhe nevoja për shërbime të aksesueshme dhe gjithëpërfshirëse është një sfidë për pjesëmarrjen e këtij komuniteti në jetën sociale. Drejtuesja e Fondacionit “Së Bashku”, Suela Lala thotë se sot në Shqipëri mungon thuajse tërësisht infrastruktura që do t’i mundësontë një personi me aftësi të kufizuar të vinte si turistë. “Duke nisur që nga transporti e deri tek sitet historike janë të paaksesueshme” tha ajo për RTSH.
Suela Lala thotë se është e nevojshme të ndërhyet në legjislacion për të garantuar aksesin e personave të kufizuar. Ajo sjell edhe praktikat më të mira të vendeve të tjera, duke u ndalur tek rasti i Akropolit. “Argumenti që fitoi është fakti se këto site duhen gëzuar nga të gjithë njerëzit dhe ç’kuptim ka të ruhen nëse një pjesë e njerëzve nuk mund ti vizitojë” tha Lala.
Sipas drejtueses së Fondacionit “Së Bashku” garantimi i aksesit të personave me aftësi të kufizuar në turizëm, jo vetëm do të hapte rrugën për më shumë turistë, por edhe do të promovonte një qasje më të përgjegjshme dhe të drejtë ndaj të gjithë njerëzve duke ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe jo diskriminuese.