Turqia dhe Siria, një vit pas tërmetit katastrofik që la 59 mijë të vrarë

Në orën 4:17, “bota u duk sikur u përmbys” për 61-vjeçarin Kanraman Karat, të mbijetuarin e tërmetit të 6 shkurtit 2023 në Turqinë Jugore.
Sot, në po atë orë e minutë, mijëra qytetarë ndenjën zgjuar për të kujtuar viktimat e tërmetit, mes lotëve për të dashurit e pajetë, heshtjes dhe thirrjeve që disa figura politike të japin dorëheqjen.
“Nuk do të harrojmë, nuk do të falim,” thanë qytetarët e mbledhur përgjatë lumit Orontes. Me të tilla thirrje u përballën kryebashkiaku Lutfu Savas në Antakje, kryeqendra e provincës jugore të Hatajit, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Fahretin Koxha (o. Fahrettin Koca), u prit me fishkëllima dhe protesta.

Zona e Hatajit u godit më fort nga 11 provincat jugore të Turqisë prej tërmetit të shkurtit me magnitudë 7,8.
Bashkë me 6 mijë viktima në Sirinë fqinje, tërmeti la gjithsej më shumë se 59 mijë të vdekur. Rreth 107 mijë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa 680 mijë shtëpi u rrënuan, sipas Ministrisë turke të Urbanizimit.

“Fatkeqësia vazhdon të djegë zemrat tonë me aq dhimbje si ditën e parë. Falë Zotit, kombi ynë e kaloi me sukses këtë test të dhimbshëm dhe historik,” shkroi presidenti Rexhep Tajip Erdoan (o. Recep Tayyip Erdogan) në rrjetet sociale.
Projekti i rindërtimit
Pasi ra tërmeti, dyshimet e para u hodhën te standardet e ndërtimit në rajonin me historik sizmik.

Qeveria turke u ka ardhur në ndihmë të prekurve duke ndërtuar qytete-kontejnerë të reja si kontejnerë në Hataj dhe Gaziantep, duke ngritur spitale dhe duke u ndarë qytetarëve e bizneseve miliarda lira turke për të nisur aktivitetin nga fillimi.

Në portin e Iskenderunit, një anije është kthyer në shkollë për 1.200 nxënës, të ndarë në kate me konvikte dhe klasat mësimore.
Të dielën, presidenti Erdoan ishte i pranishëm gjatë dorëzimit të 10.090 shtëpive të reja në rajonin e Islahijesë. Deri në fund të vitit janë planifikuar të dorëzohen një total prej 200 mijë banesash. Autoritetet thonë se ndërtesat e reja do të jetë më rezistente dhe jo më të larta se katër kate. /AFP, Kathimerini