Turqia do të prodhojë makinat Tesla, presidenti Erdoan takon Maskun
Turqia synon të ketë një fabrikë për prodhimin e makinave “Tesla”, një nga markat më luksoze të automjeteve me bateri.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdoan (o. Recep Tayyip Erdogan) ia bëri kërkesën vetë drejtuesit të kompanisë, Elon Mask (o. Musk) në një takim që patën në kuadër të vizitës së tij në Nju-Jork, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e OKB-së.
Takimi u mbajt në Shtëpinë Turke, një grataçel i ndërtuar afër godinës së Kombeve të Bashkuara.
Presidenti Erdoan tha se ai është i hapur të bashkëpunojë me Teslan në fushën e inteligjencës artificiale dhe Starlinkun, shërbimin satelitor që menaxhohet nga sipërmarrja amerikane. Mask raportohet se do të marrë licensat e nevojshme nga autoritetet turke për shërbimin.
Agjencia turke e lajmeve njoftoi se Mask ka pranuar ftesën e presidentit Erdoan për të vizituar festivalin Teknofest në Izmir në fund të shtatorit.
Aksionet e Teslas në bursë janë rritur me 123 për qind gjatë këtij viti dhe prodhuesi i makinave informoi të shtunën se ka fabrikuar makinën e saj të 5-miliontë.