“Turqia e sheh Shqipërinë si partner strategjik, veçanërisht për paqen dhe sigurinë e Ballkanit”
Turqia ka qenë një nga kontribuesit në modernizimin e bazës së re ajrore taktike të Kuçovës.
Në inaugurimin e saj, gjenerallejtnant Gëksel Kaja (o. Göksel Kahya), përfaqësuesi ushtarak i Turqisë në NATO, u shpreh se investimi është në vazhdën e marrëveshjeve të shumta ushtarake dhe të mbrojtjes që dy vendet kanë lidhur prej vitesh.
Duke qenë baza ajrore më e madhe taktike e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, gjenerallejtnant Kaja tha se roli i saj do të jetë tejet i rëndësishëm për gjithë Aleancën.
“Shqipëria është zhvilluar pothuajse në çdo fushë në vitet e fundit. Ajo është një ndër vendet e dalluara në Ballkan për ecurinë dhe diversitetin kulturor. Mes Shqipërisë dhe Turqisë ekziston një miqësi dhe vëllazëri e thellë prej më shumë se 500 vjet. Si manifestim i këtyre lidhjeve shekullore, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë të ndërtuara mbi bazën e besimit të ndërsjellë janë në nivelin më të lartë. Sot e shohim Shqipërinë si një vend fqinj, edhe pse nuk kemi kufij.
Ne gjithashtu kemi bashkëpunim të ngushtë në fushën ushtarake dhe në industrinë e mbrojtjes. Marrëveshja ushtarake që nënshkruam së fundmi konsiderohet mjaft e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Turqia dhe Shqipëria si dy aleate të NATO-s kanë bashkëpunim të ngushtë për sigurinë, paqen, stabilitetin rajonal e global në platformën ndërkombëtar të Aleancës.
Turqia e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm dhe strategjik në Ballkan, veçanërisht për paqen dhe sigurinë e përhershme. Zhvillimet kaotike po përshpejtohen në nivel rajonal e global dhe në këtë kontekst çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë janë bërë kritike më shumë se kurrë. Në këtë proces, prania e NATO-s dëshmon se është organizata më e suksesshme për mbrojtjen tonë. Prandaj inaugurimi dhe modernizimi i kësaj baze ajrore me kontributin e Turqisë është një hap i rëndësishëm për nivelin taktik dhe strategjik për sigurinë e Shqipërisë dhe NATO-s. Duke qenë baza më e madhe ajrore taktike e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, baza ajrore e Kuçovës do të jetë një kontributor i rëndësishëm për Aleancën në sigurinë rajonale e globale,” tha gjenerallejtnant Kaja.