Turqia: Shpresojmë se liderët e rinj sirianë do të ndihmojnë refugjatët të kthehen në shtëpi
Teksa Siria ka filluar përpjekjet të riformësohet pas rënies së diktatorit prej shumë kohësh Bashar al-Assad, fuqitë e mëdha rajonale po vëzhgojnë nga afër – përfshirë Turqinë fqinje, e cila pret më shumë refugjatë sirianë se çdo vend tjetër.
Synimi i Turqisë është të stabilizojë Sirinë mjaftueshëm për të lejuar “kthimin e sigurt, në shkallë të gjerë dhe vullnetar” të refugjatëve sirianë, tha Sinan Ulgen, bashkëpunëtor i lartë në institutin “Carnegie Europe”.
Rreth 2.9 milionë sirianë jetojnë në Turqi – megjithëse vlerësimet jozyrtare janë shumë më të larta. Fluksi i refugjatëve gjatë luftës civile 13-vjeçare të Sirisë është i diskutueshëm në Turqi, ku partitë opozitare kanë bërë thirrje për dëbime masive dhe kanë mbajtur protesta anti-siriane.
Të hënën, presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia do të hapte një portë kufitare me Sirinë për të lejuar kthimin e sigurt dhe vullnetar të emigrantëve sirianë, duke shtuar se Ankaraja do të “punojë ditë e natë” për të siguruar që Siria të arrijë “paqe dhe stabilitet të përhershëm”.
Turqia ka ndikim në Siri përmes financimit të Ushtrisë Kombëtare Siriane, një grup ombrellë që përfshin dhjetëra fraksione dhe Ushtrisë së Lirë Siriane. Këto grupe përfaqësuese mund të lejojnë Ankaranë të “ndikojë në disa nga zhvillimet në Siri”, tha Ulgen.
Megjithatë, Turqia nuk e ka atë ndikim mbi Hayat Tahrir Al-Sham (HTS), grupi që udhëheq koalicionin rebel që përmbysi sundimin e Asadit.
Turqia ka disa poste ushtarake në qytetin e Idlibit, të cilin HTS e ka sunduar për vite me radhë, kështu që ekziston një “vijë kontakti” midis dy palëve – por “do të ishte gabim të supozohej se Turqia ka kontroll mbi HTS,” shtoi Ulgen.