U dënua për korrupsion, demokratët kërkojnë dorëheqjen e senatorit amerikan

Pasi u dënua për korrupsion, demokratët në SHBA kërkojnë dorëheqjen e senatorit Robert Menendez.
Kreu i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha në një deklaratë se “senatori Menendez tani duhet të bëjë atë që është e drejtë për zgjedhësit e tij, Senatin dhe vendin tonë; të japë dorëheqjen”
Nga ana e tij, senatori demokrat Jack Reed shkroi në X, se “ai kaloi ditën e tij në gjykatë dhe pati një gjykim të drejtë. Juria ka folur. Senatori Menendez është shpallur fajtor dhe duhet të japë dorëheqjen”
Thirrjet për dorëheqjen e tij vijnë në mesin e një numri kërkesash të ngjashme, që datojnë që nga viti 2017 kur Menendez u përball me një grup të veçantë akuzash për korrupsion.
Kjo është dhimbje koke e shtuar për demokratët në Uashington, të cilët në të njëjtën kohë po bëjnë thirrje që Joe Biden të braktisë fushatën e tij për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.