U kap me mina në trup, Gjykata e Lezhës lë në burg 24-vjeçarin nga Fushë-Kruja

24-vjeçari nga Fushë-Kruja i cili u kap me dy mina me telekomandë duke i transportuar drejt Lezhës do të qëndrojë në burg pa afat.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën e Lezhës, Arkil Selimi mësohet se nuk ka dhënë asnjë shpjegim rreth veprimtarisë së tij dhe posedimit të minave.
Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Aldi Kareco, e cilësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të 24-vjeçarit dhe vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në Burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Arkil Selmi nga Fushë-Kruja u arrestua të premten nga policia e Lezhës në afërsi të Milotit dhe gjatë kontrollit fizik, 24-vjeçarit iu gjetën të fshehura në trup, 2 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale kundrejt shumave të parave që variojnë nga 1500 deri në 2500 euro, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshire në këtë veprimtari kriminale.