U la në “arrest shtëpie”, zbardhet vendimi për Berishën: Mund të ndikojë në prishjen e provave dhe ekziston rreziku i ikjes
Për shkak të detyrave të larta shtetërore të mbajtura më herët apo pozicionit si deputet i Republikës, Sali Berisha mund të influencojë në prishjen e provave në hetimin e nisur për të në dosjen Partizani. Kështu argumenton gjyqtarja Irena Gjoka në vendimin e zbardhur të marrë ndaj Berishës më 30 dhjetor që e dërgoi atë në masën e arrestit në shtëpi.
“Vijon të ekzistojë mundësia që të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen apo asgjësimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi”, thuhet në vendim.
Në vendimin e argumentuar me 42 faqe, Irena Gjoka thotë se ekziston mundësia e arratisjes, nisur edhe nga vepra penale që po hetohet.
“Sa i përket diskutimit të rrezikut të largimit, në raport me faktin penal për të cilin ai dyshohet, çmon se në këto rrethana vijojnë të jenë ende ekzistuese”, argumentohet në vendimin e dhënë nga gjyqtarja Gjoka.
Këto janë edhe shkaqet kryesore, që në vendimin e zëvendësimit të masës së sigurisë detyrohet ruajtja me polic te dera e ish kryeministrit Berisha si dhe i ndalohet komunikimi me persona të tjerë përveç atyre me të cilët bashkëjeton në banesën në rrugën Mustafa Matohiti në kryeqytet.
Ish kryeministrit ju ndryshua masa e sigurisë në arrest në shtëpi pas refuzimit të zbatimit nga ana e tij e detyrimit për t’u paraqitur dy herë në muaj në Byronë Kombëtare të Hetimit.
Vetë Berisha i ka quajtur antikushtetuese vendimet e gjyqtares Irena Gjoka si dhe ka kërkuar përjashtimin e saj nga gjykimi për konflikt interesi, pasi ai pretendon se në vitin 1996 e ka shkarkuar Gjokën si gjyqtare.