U lejuan përkohësisht ndihmat humanitare – Biden thotë se Izraeli po bën atë që iu kërkua Netanjahut gjatë bisedës telefonike
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Izraeli po respekton kërkesën e tij që të lejojë më shumë ndihma në Gaza, një ditë pasi paralajmëroi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për ndryshim të politikës amerikane.
Teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë, Biden u pyet nga gazetarët nëse gjatë bisedës telefonike me Netanyahun më 4 prill, udhëheqësi amerikan e kërcënoi kryeministrin izraelit me ndaljen e ndihmës ushtarake për Izraelin, presidenti amerikan u përgjigj duke thënë se i kishte kërkuar të bëjnë atë që ata tashmë po bëjnë.
Disa orë pas kësaj bisede telefonike, Izraeli njoftoi se do të lejonte “përkohësisht” dërgesa të ndihmës në veri të Gazës, ku banorët po përballen me uri. Ndihma do të dërgohet nga porti izraelit Ashdod në pikëkalimin e Erezit.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë tha se Izraeli duhet të bëjë më shumë që të përmbushë premtimet që i ka dhënë Bidenit. “Është e rëndësishme që këto zotime të realizohen krejtësisht dhe të zbatohen në mënyrë të shpejtë”, tha gjatë një bisede me gazetarë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby. Ndërkohë, Shefi i Kombeve të Bashkuara ka fajësuar strategjinë ushtarake të Izraelit dhe procedurat për vrasjen e pothuajse 200 punëtorëve humanitarë, ndërsa bëri thirrje për hetime të pavarura për të rregulluar këto dështime dhe praktika.