U plagos nga atentati në Dobraç të Shkodrës, ndërron jetë në spital 67-vjeçari

Ka shkuar në katër numri i viktimave nga atentati në Dobraç të Shkodrës, pasi 67-vjeçari Bashkim Basha ka ndërruar jetë në spital.
67-vjeçari dhe bashkëshortja e tij, Flutura Basha, kalimtarë të rastit, ishin duke udhëtuar me motor, kur u përplasën nga makina e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit, të cilët u qëlluan për vdekje.
Flutura Basha ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa bashkëshorti i saj u dërgua në spital, por fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
Ngjarja u regjistrua në rrethrrotullimin “5 heronjtë e Vigut” më 30 tetor, ku Hamza Lici dhe Arlind Bushati u qëlluan për vdekje nga një makinë në lëvizje. Autorët e kësaj ngjarje të rëndë nuk janë identifikuar ende.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.