U shmang votimi për anëtarësim, KiE: Po shqyrtojmë se si të procedojë për rastin e Kosovës
Këshilli i Europës është duke shqyrtuar se si do të veprojë lidhur me rastin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Kryesuesja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler u shpreh se anëtarësimi i Kosovës u përmend disa herë në mbledhjen e sotme (17 maj) dhe se vendet po diskutojnë se si do të veprohet në rastin e saj.
“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, tha ajo.
KiE hoqi nga agjenda e saj sot çështje e pranimit të Kosovës, pasi mbetet ende e paqartë se si do të veprohet lidhur me kushtin e themelimit të Asosacionit të Komunave me shumicë serbe në veri.
Qeveria e Kosovës bëri të ditur një ditë më parë se do të dërgojë brenda muajit në shqyrtim draft statut për Asosacionin në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa BE është shprehur se mirëpret angazhimin e Prishtinës por se ky draft duhet të prezantohet në dialogun e Brukselit dhe të diskutohet në kuadër të këtij procesi pasi nuk është diskutuar as me BE-në dhe as me Serbinë.