U vetëmbyt në lumin Drin, familjarët nga Kosova identifikojnë viktimën në morgun e spitalit të Shkodrës
Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e 28 qershorit në Shkodër. Policia raportoi se në lumin Drin, në afërsi të urës së Bahçallekut, është gjetur trupi i pajetë i një shtetasi. Policia tha në komunikatën për shtyp se viktima është i gjatë rreth 175 cm, i veshur me triko pambuku me mëngë të gjata ngjyrë gri, pantallona të gjata ngjyrë kafe, atlete të zeza Adidas, me flokë të shkurtër dhe pa mjekër dhe nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shënja dhune.Lajmi i bërë publik në media, ka vënë menjëherë në lëvizje familjarët e viktimës i identifikuar si Valon Pupovci i datëlindjes 1978 lindur në Pejë. Këta të fundit kanë kontaktuar në sallën operative në DVP Shkodër ku i kanë vënë në dipozicion policisë edhe foton e viktimës. Pasi ka rezultuar se personi në foto dyshohet se është viktima e mbytur në lumin Drin, familjarët janë nisur drejt Shkodrës ku kanë identifikuar viktimën dhe e kanë tërhequr trupin e pajetë nga morgu. Viktima sipas familjarëve vuante nga një sëmundje psiqike dhe për këtë arsye prej afër 2 vitesh kishte qënë pjesë e qendrës rehabilituese në Shtimë, por ai ishte larguar nga aty dhe ka hipur në autobus për në Prishtinë më datën 14 qershor dhe që nga ai moment nuk dihej më për të. Por fatkeqësisht vitkima që vuante nga probleme të shëndetit mendor u gjet i mbytur pasditen e së premtes në ujërat e lumit Drin pranë urës së Bahçallekut.