Uashingtoni dhe Pekini, përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve

usa kina

usa kina

Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk njoftuan takimin e shumëpritur mes Presidentit Joe Biden dhe Presidentit Xi Jinping në nëntor, gjatë takimit të lartë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit që do të zhvillohet në San Françisko të Kalifornisë, thanë dy zyrtarë të lartë amerikanë, citon Zëri i Amerikës.

Këtë javë në Uashington, zyrtarët e lartë amerikanë zhvilluan bisedime me Ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, lidhur me synimet për stabilizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Kryediplomati amerikan, Antony Blinken, zhvilloi bisedime me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi në Uashington, i pari dialog ballë për ballë gjatë viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara.

Të premten, Presidenti Joe Biden u takua me shefin e diplomacisë kineze, zotin Wang, duke theksuar nevojën për të menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Palët diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë luftën e Izraelit me Hamasin, luftën e Rusisë kundër Ukrainës, krizën e fentanilit dhe çështjen e Detit të Kinës Jugore.

Uashingtoni i ka bërë thirrje Kinës që të përdorë ndikimin e saj mbi Iranin për të parandaluar një përshkallëzim të luftës në Lindjen e Mesme.

“Ne e dimë se Kina ka marrëdhënie me një numër vendesh në rajon dhe do t’i nxisim që të shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të nxitur qetësinë dhe stabilitetin. Paqëndrueshmëria e shtuar nuk është e dobishme për Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, dhe padyshim që nuk sjell dobi për popujt e rajonit”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller.

Kryediplomati kinez, Wang Yi, tha se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për të menaxhuar dallimet.

“Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëbisedojnë dhe duhet të jetë një dialog i thellë e gjithëpërfshirës, me qëllim shtimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe pakësimin e keqkuptimeve dhe gjykimeve të gabuara”.

Disa ligjvënës amerikanë vënë në pikëpyetje vazhdimin e mbështetjes së Kinës për Rusinë dhe Iranin.

Zëri i Amerikës bisedoi me ligjvënësin republikan të shtetit Viskonsin në Dhomën e Përfaqësuesve, Mike Gallagher, i cili drejton Komisionin për Konkurrencën Strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Partisë Komuniste të Kinës.

“Perëndimi duhet të zgjohet. Duket sikur gjithnjë e më shumë kemi të bëjmë me një bosht të fuqive autoritare të vendosura kundër interesave tona dhe të aleatëve tanë. Kina është lojtari dominues i këtij partneriteti dhe Putini është partner më i vogël. Gjithnjë e më shumë po shtohet bashkëpunimi me Iranin”.

Gjatë bisedimeve me kryediplomatin Wang, Presidenti Biden dhe Serketari Blinken shprehën gjithashtu ngushëllime për ndarjen nga jeta të premten të ish-kryeministrit të Kinës Li Keqiang.

( Sipas Zërit të Amerikës )

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.