Categories: BotaLajme

Uashingtoni dhe Pekini, përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve

Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk njoftuan takimin e shumëpritur mes Presidentit Joe Biden dhe Presidentit Xi Jinping në nëntor, gjatë takimit të lartë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit që do të zhvillohet në San Françisko të Kalifornisë, thanë dy zyrtarë të lartë amerikanë, citon Zëri i Amerikës.

Këtë javë në Uashington, zyrtarët e lartë amerikanë zhvilluan bisedime me Ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, lidhur me synimet për stabilizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Kryediplomati amerikan, Antony Blinken, zhvilloi bisedime me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi në Uashington, i pari dialog ballë për ballë gjatë viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara.

Të premten, Presidenti Joe Biden u takua me shefin e diplomacisë kineze, zotin Wang, duke theksuar nevojën për të menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Palët diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë luftën e Izraelit me Hamasin, luftën e Rusisë kundër Ukrainës, krizën e fentanilit dhe çështjen e Detit të Kinës Jugore.

Uashingtoni i ka bërë thirrje Kinës që të përdorë ndikimin e saj mbi Iranin për të parandaluar një përshkallëzim të luftës në Lindjen e Mesme.

“Ne e dimë se Kina ka marrëdhënie me një numër vendesh në rajon dhe do t’i nxisim që të shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të nxitur qetësinë dhe stabilitetin. Paqëndrueshmëria e shtuar nuk është e dobishme për Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, dhe padyshim që nuk sjell dobi për popujt e rajonit”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller.

Kryediplomati kinez, Wang Yi, tha se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për të menaxhuar dallimet.

“Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëbisedojnë dhe duhet të jetë një dialog i thellë e gjithëpërfshirës, me qëllim shtimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe pakësimin e keqkuptimeve dhe gjykimeve të gabuara”.

Disa ligjvënës amerikanë vënë në pikëpyetje vazhdimin e mbështetjes së Kinës për Rusinë dhe Iranin.

Zëri i Amerikës bisedoi me ligjvënësin republikan të shtetit Viskonsin në Dhomën e Përfaqësuesve, Mike Gallagher, i cili drejton Komisionin për Konkurrencën Strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Partisë Komuniste të Kinës.

“Perëndimi duhet të zgjohet. Duket sikur gjithnjë e më shumë kemi të bëjmë me një bosht të fuqive autoritare të vendosura kundër interesave tona dhe të aleatëve tanë. Kina është lojtari dominues i këtij partneriteti dhe Putini është partner më i vogël. Gjithnjë e më shumë po shtohet bashkëpunimi me Iranin”.

Gjatë bisedimeve me kryediplomatin Wang, Presidenti Biden dhe Serketari Blinken shprehën gjithashtu ngushëllime për ndarjen nga jeta të premten të ish-kryeministrit të Kinës Li Keqiang.

( Sipas Zërit të Amerikës )

RTSH Shkodra

Recent Posts

Kombëtarja mbërrin në Londër

Kombëtarja shqiptare udhëtoi të mërkurën drejt Londrës në kuadër të ndeshjes së parë kualifikuese për…

16 hours ago

Moti- Kthjellime dhe kushte të qëndrueshme atmosferike

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se për ditën e sotme vendi ynë do të…

16 hours ago

OSBE: Partitë duhet ta kenë të qartë se Shqipëria është kandidate për në BE

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, në një intervistë ekskluzive dhënë për emisionin “Ngjarja…

16 hours ago

Berisha: Do i japim zgjidhjen përfundimtare çështjes së pronave

Kreu i PD-së, Sali Berisha, është shprehur se do të zgjidhë përfundimisht çështjen e kthimit…

16 hours ago

PD ka prezantuar kandidatët në Shkodër, Berisha: Kemi përballë narko-shtetin, ndaj është fushata më e rëndësishme e 34 viteve të fundit

Partia Demokratike ka prezantuar kandidatët për zgjedhjet e 11 majit 2025 në qytetin e Shkodrës,…

16 hours ago

Bora zbardh zonat malore në vend, s’ka bllokime të rrugëve, rekomandohen goma dimërore

Reshjet e borës kanë përfshirë zonat malore të vendit. Në veri, reshjet e rëna gjatë…

2 days ago

This website uses cookies.