“Udhëtim në fjalë e tinguj” / Shkodra ishte stacioni i dytë i këngëtarit Shpat Deda në turin e tij koncertor
Këngëtari i disa prej baladave të njohura të muzikës së lehtë shqiptare, Shpat Deda, së bashku me grupin e tij, instrumentistët Visar dhe Tomor Kuçi, dhuruan emocione të bukura për publikun shkodran në teatrin “Migjeni”.
Në koncertin e emërtuar “Udhëtim në fjalë e tinguj”, me një kohëzgjatje prej 90 minutash, artisti nga Prishtina këndoi këngë të repertorit të tij, mes të cilave edhe hitin që e bëri të njohur në muzikën shqiptare “Ëndërroj”. Pjesë e kësaj mbrëmje ishte edhe këngëtarja Edona Vatoci, e cila e shoqëroi artistin në një duet.
Pjesëmarrja në Festivalin e Këngës në RTSH është një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e këngëtarit Deda.
Pas Tiranës, Shkodra u bë ndalesa e dytë e artistit nga Kosova në turin e tij “Udhëtim në fjalë e tinguj”. Rrugëtimi do të vijojë edhe në qytete të tjera të vendit.