“Udhëtime falas në SHBA”, në pranga 20-vjeçari. Mashtroi me zyrtarët e Ministrisë së Arsimit mijëra nxënës e mësues
Pas hetimeve ndërmjet Policisë së Shtetit, Ambasadës së ShBA-së në Tiranë dhe Prokurorisë është vendosur në pranga një 20-vjeçar pasi akuzohet se është përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi.
Sipas policisë, i riu është përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi, me objektiv sistemin arsimor në te gjithë vendin.
“Pas një hetimi gjashtëmujor, nga një grup hetimor i posaçëm, i përbërë nga oficerë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe hetues nga Zyra e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës se Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zbuluar një skemë mashtrimi e organizuar nga shtetasi tashmë i arrestuari Ermes Hoxhalli, i cili mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ideatorët e skemës së mashtrimit iu premtonin nxënësve dhe mësuesve udhëtime falas në SHBA, ku 20-vjeçari bashkëpunonte edhe me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.
Pre e kësaj skeme mashtrimi kanë rënë qindra mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë vendin.
“Programet iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. I arrestuari E. H. kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë. Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese”, shpjegon më tej policia.
Më herët gjykata kishte caktuar masën e arrestit me burg ndaj 20-vjeçarit ndërsa një ditë më parë është vendosur në pranga për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.