Udhëzimi i tatimeve, kush krijon të ardhura nga rrjetet sociale, duhet të paguajë taksa
Nga 1 janari 2024 të gjithë personat që realizojnë fitime nëpërmjet rrjeteve sociale, do të kenë detyrimin të deklarojnë të ardhurat e tyre nga këto rrjete.
Udhëzimi i ri prek në masë të madhe individët që operojnë në platforma si Google, Tik-Tok, Instagram, Facebook, Youtube apo edhe në platforma të blerjes së mallrave, si Amazon dhe Alibaba
Rezidentët shqiptarë do të kenë detyrimin të deklarojnë të ardhurat e marra si dhe të paguajnë detyrimet tatimore në lidhje me këto të ardhura.
Udhëzimi “Për tatimin mbi të ardhurat” botuar në Fletoren Zyrtare hyn në fuqi nga 1 Janari 2024.
Por sa e lehtë është për institucionet të dallojnë personat të cilët realizojnë fitime nëpërmjet platformave sociale dhe që deri më sot kanë operuar në informalitet?
Eksperti Said Duleviç thotë për RTSH se të gjitha platformat të japin mundësi që të gjenerosh të ardhura. Por kjo duhet të bëhet nëpërmjet bankës në vendin ku ti jeton.
Nëse pagesat nga këto platforma do të kryhen në një shumë të vetme atëhere ato do të tatohen me 15%.
Ndërkohë që të ardhurat nga punësimi do të tatohen sipas normave progresive nga 13 deri 23%.