UEFA dënim me kusht Vllaznisë, qeveria europiane e futbollit, nuk ka veshë për thirrjet anti- shqiptare në Bosnje
UEFA ka vepruar me dorë të rëndë ndaj klubeve shqiptare, pjesëmarrëse në Kupat e Europës në futboll. Qeveria europiane e futbollit, ka njoftuar dënimin me kusht të ekipit të Vllaznisë, pas eliminimit nga Conference League në dy ndeshjet me Valur.
KF Vllaznia ka përfunduar në listën e të dënuarve nga UEFA, e cila i ka ndaluar udhëtimin tifozëve shkodranë në ndeshjen e radhës, që do të luajnë në kompeticionet ndërkombëtare për shkak të incidenteve në tribuna pas ndeshjes së luajtur kundër Valur në Islandë. Ky vendim gjithashtu është i pezulluar dhe hyn në fuqi brenda dy viteve të ardhshme, nëse përsëriten incidente të ngjashme.
Ndërkaq, edhe Klubi i Egnatias është dënuar me një gjobë prej 10 mijë eurosh dhe UEFA ka vendosur për mbylljen e stadiumit të saj për ndeshjen e radhës që do të luajë si pritëse. Sipas UEFA-s shkak është bërë “sjellja diskriminuese e tifozëve” të klubit rrogozhinas. Vendimi për mbylljen e stadiumit gjithsesi, është i pezulluar dhe do të hyjë në fuqi nëse përsëriten incidente të ngjashme brenda një periudhe dyvjeçare.
Ndërkohë, UEFA nuk ka patur veshë për të dëgjuar thirrjet anti shqiptare në tribunat e stadiumit të Borac, me të cilin u përball Egnatia në Champions League, duke u eliminuar nga ky kompeticion. Edhe pse ndeshja u ndërpre për shkak të tyre, UEFA nuk ka marrë asnjë masë kundër boshnjakëve.