UEFA hap hetimin për Rumani-Kosovë
UEFA ka nisur hetimet kundër Rumanisë pas incidentit që ndodhi në ndeshje me Kosovën. Sfida e vlefshme për grupin I të Elimatoreve të Evropianit “Gjermani 2024”, ka zgjatur për afro 3 orë, duke u mbyllur me fitoren e mundimshme të vendasve me shifrat 2-0. Takimi është ndërprerë për afro një orë për shkak të hedhjes së parrullave, por, më pas, edhe të shpalosjes së pankartave kundër Kosovës. Që në nisje të ndeshjes, gjatë interpretimit të himnit të Kosovës, tifozëve ultras, ka patur thirrje “Serbi, Serbi”, të cilat organizatorët në stadium janë munduar t’i fshehin duke ngritur zërin e altoparlantëve. Në minutën e 17-të, ultrasit rumunë të grupimit “Uniçi Sub Trikolor” ndezën fishekzjarrë dhe hapën një parullë në të cilën shkruhej ”Besarabia është Rumania /Kosova është Serbi”.
Ky mesazh, që bënte paralelizmin mbi pretendimet e Rumanisë mbi rajonin e pretenduar të Besarabias me pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës, ishin një mesazh dhe provokim politik dhe gjyqtari dhe delegati i ndeshjes i kanë dhënë fund shpejt dyshimeve dhe kanë kthyer skuadrat në dhomat e zhveshjeve. Megjithatë, pas 52 minutash ndërprerje dhe paralajmërimit të gjyqtarit të ndeshjes se një tjetër përsëritje e koreve dhe parrullave diskriminuese se ndeshja do të ndërpritej përfundimisht, ajo ka rifilluar dhe takimi ka përfunduar me fitoren 2-0 të Rumanisë.
Kosova është ankuar në UEFA dhe organizmi që qeveris futbollin evropian ka nisur hetime ndaj rumunëve për 6 shkelje. Sipas burimeve të medias rumune, “GSP” pranë UEFA-s, ato janë “Mesazhe provokuese me karakter fyes për pankartat e paligjshme”, “Mesazhe provokuese të karakterit fyes për thirrjet e paligjshme”, “Sjellje raciste”, “Ndezja e flakadanëve”, “Hedhja e objekteve në fushë” dhe “Bllokimi i zonave të aksesit publik”.
Tri akuzat e para janë më të rënda për Rumaninë, e cila nëse shpallet fajtorë, rrezikon të luajë në shtëpi me dyer të mbyllura, pra pa shikues, kundër Andorrës më 15 tetor, madje edhe kundër Zvicrës më 21 nëntor, në ndeshjen e fundit eliminatore të Evropianit.