UEFA merr 30 milionë kërkesa për bileta
Interesimi për ndeshjet e Kampionatit Evropian të futbollit vazhdon të jetë shumë i madh. Këtë e dëshmojnë edhe kërkesat që janë bërë për biletat që u takojnë tifozëve të ekipeve pjesëmarrëse në Evropianin që verën e ardhshme mbahet në Gjermani. UEFA ka njoftuar të hënën se ka marrë kërkesa për plot 30 milionë bileta. Tashmë janë caktuar grupet, vendet ku luhen ndeshjet dhe oraret e ndeshjeve. Deri më 12 dhjetor ishte i hapur aplikimi për tifozët e përfaqësueseve që do të marrin pjesë në Gjermani. Dhe kërkesa ishte shumë e madhe për evenimentin që mbahet nga 14 qershori, deri më 14 korrik të vitit të ardhshëm.
Çdo federatë që ka përfaqësuese në Evropian do të marrë nga 10 mijë bileta për secilën ndeshje që e luan. Disa prej federatave i kanë shitur biletat për grupet e tifozëve. Biletat e mbetura do të ndahen si pjesë e shortit që do ta organizojë UEFA. Sipas UEFA-s, në total janë kërkuar mbi 30 milionë tiketa nga 206 vende të ndryshme, gjatë periudhës prej 2 deri më 12 dhjetor. “Përveç tifozëve të Gjermanisë, më shumë bileta kërkuan tifozë që përkrahin Turqinë, Hungarinë, Anglinë, Shqipërinë dhe Kroacinë”, ka njoftuar UEFA.
Deri në fund të janarit tifozët do të njoftohen nëse kanë siguruar biletë përmes lotarisë. Në “Euro 2024”, Shqipëria luan me kampionen në fuqi të Evropës, Italinë, më 15 qershor në Dortmund. Më 19 qershor në Hamburg, kuqezinjtë përballen me Kroacinë, kurse më 24 qershor, Shqipëria e Silvinjos luan me Spanjën, një tjetër pretendente për titull të kampiones së Evropës.