UEFA Nations League, Kombëtarja e vajzave mbyll përgatitjet për sfidën ndaj Çekisë

Kombëtarja shqiptare e vajzave ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e dytë në Grupin B4 të UEFA Nations League ndaj Çekisë.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Armir Grima zhvilloi seancën e fundit stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja “Stadio Střelecký ostrov”. Stërvitja zgjati rreth një orë dhe i gjithë grupi është në formë optimale, pa probleme fizike.
Seanca e fundit stërvitore nuk ka pasur shumë ngarkesë fizike. Stafi teknik e ka fokusuar punën më shumë te ushtrimet me topin dhe situatat e ndryshme të lojës.
Ndeshja e UEFA Nations League për vajza, Çeki – Shqipëri, do të luhet nesër në stadiumin “Stadio Střelecký ostrov”, duke nisur nga ora 17:30.