Ujërat e zeza në lumin Buna/ Biologia Piroviç: Ekosistemi po dëmtohet, flora e fauna po zhduken
Me këto pamje qytetarët shkodranë përballen çdo ditë kur kalojnë pranë shëtitores së molos, në afërsi të Urës së Vjetër të Bunës ku derdhen në lum ujërat e zeza të qytetit. Fenomeni i ujërave të zeza pranë lumit Buna është i hershëm dhe nuk po merr zgjidhje. Me situatën e krijuar aktualisht, një sipërfaqe e konsiderueshme është kthyer në një moçal të vërtetë, ku gjen gjithçka ndotëse.Biologia njëherësh ambientaliste Aurora Piroviç thotë se shkarkimi u ujërave të zeza të qytetit përveçse është duke dëmtuar ekosistemin po ndikon në zhdukjen e florës dhe faunës në liqen.Por ndërsa është folur shumë për zbatimin e një projekti që do të ndalonte këtë katastrofë, gjendja në Bunë është përkeqësuar.Sipas biologes Aurora Piroviç është e nevojshme në mënyrë urgjente ngritja e një impianti për përpunimin e ujërave të zeza, ku sipas saj nëse nuk merren masa atëherë do të përballemi me pasoja të rënda ekologjike .Ujërat e zeza të qytetit shkarkohen vetëm pak metra larg urës së vjetër të Bunës duke ndotur gjithë bregun e fshatrave të Nënshkodrës, që shtrihen në të dy anët e lumit, në një gjatësi prej rreth 40 kilometrash. Duket se lumi Buna nuk ka ndjerë asnjëherë ndërhyrjen për pastrimin apo thellimin e shtratit duke e rënduar së tepërmi situatën, në këtë ligatinë tepër të rëndësishme për Shkodrën, por në të ardhmen edhe për rajonin. Kjo ndotje ndikon direkt edhe në largimin apo dëmtimin e resurseve peshkore.