Ujësjellës i ri për Shëngjinin- Projekti dhe financimi janë gati, shumë shpejt do të nisë puna
Për t’i dhënë zgjidhje problematikës me furnizimin me ujë të pijshëm në zonën turistike të Shëngjinit pritet së shpejti të nisë investimi për ndërtimin e ujësjellësit të ri.
Sipas drejtuesve vendor investime do të bëhen edhe në rrjetin elektrik dhe infrastrukturë.
Dendësia e ndërtimeve në zonën turistike të Shëngjinit ka vënë në vështirësi furnizimin me ujë të pijshëm.
Problematika më e madhe krijohet gjatë sezonit turistik, pasi ujësjellësi ekzistues nuk e plotëson nevojën për ujë.
Për t’i dhënë zgjidhje këtij shqetësimi që po bëhet gjithnjë e më evident pritet ndërtimi i një Ujësjellësi të Ri që do të përfshije dhe zonën e Kunës dhe Ranës së Hedhun.
Konfirmimi vjen nga nënkryetari i Bashkisë Lezhë Ermal Pacaj, sipas të cilit projekti dhe financimi janë gati dhe shumë shpejtë pritet të nisë investimi.
Krahas Ujësjellësit të ri në zonën turistike të Shëngjinit parashikohet që të investohet edhe në rrjetin elektrik dhe infrastrukturë, me qëllim që të ofrohet turizëm sa më cilësor dhe pa problematika.