Ukraina feston daljen në gjysmëfinale
Italia dhe Ukraina janë gjysmëfinalistet e para të Kampionatit Europian të moshës deri në 19 vjeç në futboll për djem, që është duke u zhvilluar në Irlandën e Veriut dhe që po vjen drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Jo vetëm kaq, por të dyja këto skuadra kanë siguruar dhe pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të moshës deri në 20 vjeç në Kili më 2025-ën.
Ndeshja mes këtyre dy ekipeve është luajtur në Inver Park në Llarn nën reshjet e dendura të shiut. Ukraina ka kaluar në avantazh në të 7’ me anë të Sinshuk, që ka shfrytëzuar një dalje të gabuar të Magros. E më pas Italia barazon me Ebone, kjo në të 34’, ndërsa në një goditje dënimi të Di Maxhios, qendërsulmuesi i të kaltërve ia rrëshqet topin mes duarve Krapitsovit. Në pjesën e dytë vjen një supergol i Romanos, që me një gjuajtje në ecje e sipër, nga rreth 20 metra, në të 52’ e dërgon topin në trekëndëshin e majtë të portës së Ukrainës. Vetëm tre minuta zgjat avantazhi i Italisë, sepse Krevsun barazon në të 55’, ndërsa i kalon mes duarve Magros. Në të 75’, Ukraina jo vetëm që fiton penallti, por e lë Italinë me dhjetë futbollistë, kjo pas daljes me karton të kuq të Korradit. Nga pika e bardhë ka gjuajtur Ponomarenko dhe 3-2.
Ndërkohë Norvegjia ka fituar 2-0 me Irlandën e Veriut dhe ka zënë vendin e tretë në grupin A. Kampionati Europian i moshës deri në 19 vjeç në futboll për djem përfundon më 28 korrik.