Ulen temperaturat, vijon bora – Autoritetet: Nuk ka problematika në asnjë nga bashkitë e qarkut Shkodër

Të stimuluara nga rënia e temperaturave, reshjet e borës vijojnë në zonat malore të qarkut të Shkodrës.
Në aksin rrugor drejt Thethit, në zonën e Qafë Thores, vijojnë reshjet, por ky aks është i kalueshëm pa problem.
E njëjta situatë është edhe në aksin Qafë Mali- Fierzë, ku që në orët e para të mëngjesit kanë nisur reshjet e bores, por pa problem në qarkullimin rrugor. Kontraktorët janë në gatishmëri me mjete dhe me punëtorë, teksa këshillohet që qarkullimi i automjeteve në zonat malore, të kryhet me goma dimërore.
Nga Bashkia Pukë, bëhet me dije se kanë filluar reshjet e bores, por me intensitet të ulët, ndërsa nuk raportohen probleme.
Edhe në bashkinë Fushë- Arrëz kanë nisur reshjet, ku trashësia varion nga 6 deri në 8 cm. As nga kjo bashki nuk raportohen problem, teksa qarkullimi vijon normalisht.
Nga bashkitë Malësi e Madhe dhe Vau Dejës, nuk raportohen probleme të emergjencave civile.