Ulet dënimi i zyrtarëve të lartë – Ndryshimet që nxitën debat për Amnistinë Penale
Amnistia e të burgosurve ka marrë një pikë kthese në miratimin final në Komisionin e Ligjeve ku është propozuar përfshirja si grup përfitues nga ligji edhe për zyrtarë të lartë të dënuar nga gjykata e Posaçme. Ky propozim i miratuar ka sjellë edhe debate politike ku palët mazhorancë – opozitë akuzojnë njëra tjetrën për amnistim të zyrtarëve të korruptuar. Por kush ishte ndryshimi që ngriti këtë debat.
Në draftin paraprak të dorëzuar në Kuvend më 7 dhjetor 2023, në nenin 5, pika 2 parashikohej edhe përjashtimin nga përfitimi i zbritjes së dënimit 1 vit burg për burrat dhe 1 vit e 6 muaj për gratë, e të dënuarve nga gjykata e Posaçme për veprat penale që lidhen kryesisht me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe korrupsionin e gjyqtarëve apo prokurorëve.
Por në miratimin e djeshëm është bërë ky ndryshim. Në nenin 5 pika 2 e tij shkurtohet dhe hiqet germa C, duke i dhënë të drejtën uljes së dënimit që gjykata ka dhënë për ish zyrtarë, prokurorë a gjyqtarë deri më 31 janar 2024.
Nuk do të ketë amnisti për mbi ndjekjet penale për asnjë nga veprat që po hetohen apo gjykohen në gjykatën e Posaçme ku përfshihen ish zyrtarë dhe zyrtarë të shtetit. Ndërkohë një tjetër ndryshim që iu bë ligjit pushimi i hetimeve apo gjykimeve për të gjithë ata zyrtarë të nivelit të mesëm e të ulët që mund të dënohen deri në 2 vjet, por jo për veprat korrupsion dhe shpërdorim i detyrës.
Këto ndryshime u thanë se u kërkuan nga deputeti demokrat i grupimit të rithemelimit, Bledjon Nallbati, por ky i fundit e ka mohuar duke hedhur akuzën se përfshirja në përfitim të ish zyrtarëve të lartë është bërë nga relatori i çështjes, deputeti socialist Plarent Ndreca. Madje Nallbati ka publikuar edhe këtë dokument që tregon propozimet e bëra ku asnjë prej pikave nuk kërkon ndryshimin e nenit 5.
Por larg debateve politike, drafti final i amnistisë ka shtuar gamën e qytetarëve përfitues. Numri i të dënuarve që dalin nga burgu pas amnistisë shkon në 700 ndërsa 3200 të dënuar përfitojnë ulje nga dënimet e tyre.