UNICEF: 13 mijë fëmijë të vrarë në Gazë pas ofensivës së Izraelit
Agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, ka njoftuar se mbi 13 mijë të rinj kanë gjetur vdekjen në Gazë dhe shumë vazhdojnë të vuajnë nga kequshqyerja, aq sa “nuk kanë as energjinë të qajnë”.
“Mijëra të tjerë janë plagosur dhe nuk e përcaktojmë dot se ku ndodhen. Mund të kenë mbetur nën rrënoja… Nuk kemi parë një bilanc të tillë vdekjesh mes fëmijëve në thuajse asnjë konflikt tjetër në botë,” deklaroi drejtuesja ekzekutive e UNICEF-it, Katerinë Rasëll (o. Catherine Russell).
Kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit nuk kanë munguar për bilancin e luftës që nisi tetorin e kaluar, për krizën e urisë në Gazë dhe akuzat se po bllokon ndihmat ushqimore në vend.
Që prej fillimit të ofensivës ndaj militantëve të Hamasit, gati e gjithë popullsia prej 2,3 milionë banorësh në Gazë janë zhvendosur nga vendbanimet. Mbi 31 mijë gjithsej kanë mbetur të vdekur nga bombardimet prej ajrit.
Izraeli i ka mohuar akuzat për gjenocid dhe thotë se po kundërvepron ndaj sulmit të 7 Tetorit, kur Hamasi kaloi me forcë kufirin dhe ekzekutoi 1.200 izraelitë, duke marrë edhe pengje me vete. /Reuters