Union Berlin “përralla” perfekte kundër futbollit komercial
“Ja so eisern wie Granit, so wie einst Real Madrid und so zogen wir in die Bundesliga ein und wir werden auch mal deutscher Meister sein”.
Në sezonin 2005-2006, kur Union Berlini militonte në Oberliga-Nord, tifozët këndonin në stadium kore ku projektonin ekipin e tyrë të zemrës të bëhej i fortë si graniti dhe si Reali për të fituar një ditë Bundesliga-n.
Ajo ditë ka ardhur… Unioni nuk e ka fituar Bundesliga-n, por do të ndeshet me Realin në Ligën e Kampioneve. Aventura e klubit nga zona lindore e Berlinit në kompeticionin më të lakmuar për klube nis pikërisht në mitikun “Santiago Bernabeu”.
Historia e Union Berlin është njëra prej atyre që nuk ka shumë lidhje me klubet e ditëve të sotme, të cilat zotërohen nga sheikë apo nga emirë. Për këtë motiv Champions-i i këtij viti ka një vlerë të shtuar pasi po të mos kishte qenë për 2333 tifozët e Unionit, të cilët kanë punuar 140.000 orë vullnetarisht në 2008 dhe 2009 në stadiumin “An der Alten Försterei” kjo “përrallë” nuk do të ekzistonte.
Në vitet që po flasim Federata Gjermane e Futbollit kishte ngritur supet dhë lajmëroi drejtuesit e klubit se impianti nuk ishte i përshtatshëm për tu zhvilluar ndeshje. Bashkia e Berlinit së bashku me përfaqësues të zonës të Kopenick nuk kishin bërë asgjë për ta mirëmbajtur.
“Puna intensive prej 13 muajsh ishte diçka prekëse pasi në stadium afroheshin rreth 100 persona çdo ditë për të punuar. Nuk mund të punësonim dot më shumë dhe të mendosh se 80 prej tyre ishin persona, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me ndërtimin dhe udhëzoheeshin nga 20 të tjerët”, tregon Kristian Arbajt, spikeri i stadiumit.
Arbajt shpjegon se Unioni kishte diçka ndryshe edhe në kohën kur Gjermania ishte e ndarë. Spikeri shpjegon se para vieteve ’90 tifozët e Unionit ishin shumë ndryshe nga ata të Dinamo Berlin, klub ky i formuar nga shefi i Stasit, Erish Mielke. “Do të gënjeja nëse do të thosha se Unioni ishte kundër sistemit pasi në atë periudhë mendimi kundër nuk pranohej, por ju them se të rinjtë që afroheshin me këtë klub ishin mendje të lira. Shpesh herë në atë kohë na shikonin si dele të zeza pasi konsideroheshim si të dhunshëm. Ne thjesht donim diçka alternative të ndryshonim diçka në atë sistem”, tha Arbajt.