Universiteti i Prishtinës lë prapa Harvardin: “Pyesnin, ku bie Prishtina , por nuk na paragjykuan”
Në garën më prestigjioze për drejtësi, studentët e Universitetit të Prishtinës lanë prapa ekipet e studentëve të Universitetit të Harvardit, Stenfordit dhe qindra universitete të njohura në botë.
Studentët e Juridikut arritën vendin e 3-të ndër më të mirët në botë mes 400 universiteteve në garën “Willem International for Commercial Arbitration Moot”.
Këtë sukses historik e postoi me krenari në rrjetet e saj sociale edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në emisionin “Jetë shqiptare” në RTSH, studentet pjesëmarrëse thanë se u përgatitën gjashtë muaj me radhë për garën, e cila ishte më e vështirë edhe pse zhvillohej në anglisht.
“Shumica e personave atje nuk e kanë ditur se ku ndodhet Prishtina apo Kosova. ‘Where is Prishtina,’ na pyesnin. Pastaj duke shkuar poshtë e më poshtë në vendet e eliminimit na vlerësuan për arritjen. E kemi nxjerrë Kosovën në hartë,” tha Melisë Sejdiu, studente në Fakultetin e Juridikut në UP.
“Kishim frikë se do të ndjenim paragjykim, por rezultati tregon se nuk ka pasur,” shtoi studentja Morea Pula.
Kjo është gara më e madhe botërore në fushën e së drejtës ndërkombëtare dhe arbirtrazhit komercial dhe ngre lart punën e studentëve. Konkursi kishte të bënte me çështjet e shitblerjes ndërkombëtare dhe ekipi u përfaqësua me disa studentë ekselentë.