Uolf sfidon Ferrarin në Brazil
Formula 1 ndalon në Interlagos këtë fundjavë për Çmimin e Madh të Brazilit, i cili e sheh sërish Max Verstappenin, si favoritin absolut, për ta fituar edhe këtë garë. Por tashmë konkurrenca po bëhet interesante për vendin e dytë në renditjen për konstruktorë. E ajo është përqëndruar midis Mercedesit dhe Ferrarit, të cilët do të përpiqen të japin gjithçka për ta fituar titullin e nënkampionit.
Shigjetat e argjendta kanë një epërsi prej 22 pikësh, por skuadra e Maranelos është ende e sigurt se do të jetë në gjendje ta kalojë këtë diferencë.
Drejtori i ekipit të Mercedesit, Toto Wolff, përpara Çmimit të Madh të Brazilit, komenton për luftën që do të bëhet me Ferrarin, për të ruajtur diferencën e vogël në pikë, për vendin e dytë në Kampionatin Botëror të konstruktorëve.
“Ishte vërtet e rëndësishme të ktheheshim nga Meksika duke ruajtur të njëjtin avantazh që kishim më parë me Ferrarin, 22 pikë, në lidhje me luftën për vendin e dytë në renditjen për konstruktorë në Formula 1”.
“Kjo është një betejë e rëndësishme për ne, të cilën duam ta fitojmë. Edhe titulli nënkampion bote në Formula 1 është i rëndësishëm. Fundjava e kaluar ishte pozitive, shpresojmë të bëjmë mirë edhe në Interlagos”.