Ura e Mesit dhe kalaja e Drishtit, turistët: Jemi të impresionuar me Shkodrën, i ka të gjitha

Në luginën e Kirit, në Postribë, gjendet Ura e Mesit, ndër monumentet kulturore më të rëndësishme në Bashkinë e Shkodrës. Ky objekt është kthyer në një pikë tërheqëse për turistët, duke qënë monument me vlera të mëdha arkitektonike e historike.
“Kam ardhur nga Gjermania për të vizituar disa nga vendet që ofron Shqipëria. Në Shkodër mbeta i impresionuar.Këtu janë të gjitha, deti, lumi, mali e çdo gjë. Sot, me bashkëshorten time kemi ardhur për të vizituar Urën e Mesit.Guidat turistike duhet të na orientojnë ne të huajve edhe për në të tjera objekte që ofron zona, sepse kalaja e Drishtit ka një histori të veçantë, sipas gojëdhënave.
Është hera e parë që e vizitojmë Shkodrën, por me gjithë mend qenka vërtet një qytet shumë i bukur, me kalanë, Urën e Mesit, lumin e detin“, – shprehen turistët.
Edhe vizitorët vendas janë të mendimit se kalasë së Drishtit duhet t’i bëhet më shumë promocion.
Vitet e fundit, këto dy objekte po tërheqin shumë vizitorë të huaj. Për disa është hera e parë që vizitojnë Shkodrën e të tjerë rikthehen sërish për të vizituar Drishtin dhe Urën e Mesit.