Urdhërarresti ndaj Netanjahut, Bajden: Skandaloze. SHBA, krah Izraelit
Presidenti amerikan Xho Bajden (Joe Biden) e ka cilësuar si skandaloze kërkesën e gjykatës penale ndërkombëtare për udhërarreste ndaj Kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjah (Natanyah) dhe anëtarëve të lartë të Hamasit, për krimet e kryera në Gaza.
Bajden garantoi se SHBA-të do të jenë gjithnjë në krah të Izraelit kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij.
“Kërkesa e prokurorit të ICC-së për urdhër-arrest kundër liderëve izraelitë është skandaloze. Dhe më lejoni të jem i qartë: çfarëdo që mund të nënkuptojë ky prokuror, nuk ka asnjë ekuivalencë – asnjë – midis Izraelit dhe Hamasit. Ne do të qëndrojmë gjithmonë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij. Ajo që po ndodh nuk është gjenocid”, tha Bajden.
Presidenti shprehu edhe njëherë mbështetjen e SHBA-ve ndaj Izraelit, duke thënë se do kenë gjithçka që u nevojitet për të mbrojtur veten kundër Hamasit.
“Unë gjithmonë do të siguroj që Izraeli të ketë gjithçka që i nevojitet për të mbrojtur veten kundër Hamasit dhe të gjithë armiqve të tij. Ne duam që Hamasi të mposhtet”, tha ai.
Komentet e Biden u bënë jehonë nga sekretari amerikan i shtetit Antoni (Antony) Blinken, i cili tha se SHBA “kundërshton thelbësisht” vendimin për të kërkuar arrestimin e zyrtarëve izraelitë dhe paralajmëroi se ai mund të rrezikojë përpjekjet për të arritur një armëpushim.
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta që shumë përpara konfliktit aktual se ICC nuk ka juridiksion mbi këtë çështje. GJPN-ja u krijua nga shtetet palë të saj si një gjykatë me juridiksion të kufizuar. Këto kufizime janë të rrënjosura në parimet e komplementaritetit, të cilat duket se nuk janë zbatuar këtu mes nxitimit të prokurorit për të kërkuar këto urdhër-arreste në vend që t’i lejojnë sistemit ligjor izraelit një mundësi të plotë dhe në kohë për të vazhduar”, tha Blinken.