Urdhri i SPAK – Policia aksion në disa qytete, lëshon 10 urdhërarreste
Policia e Shtetit ka ndërmarrë një aksion masiv në disa qytete të vendit. Prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të premteje (17 maj), policia ka zbritur në terren për të bërë të mundur ekzekutimin e vendimeve të GJKKO-së pas kërkesave të SPAK-ut.
10 urdhraarreste janë lëshuar deri në këto momente nga policia, dhe që kanë të bëjnë me vepra penale që lidhen me krimin e organizuar.
Policia ka lëshuar urdhërarreste për disa personazhe të njohur të krimit në vend, ndër të cilët vëllezërit Avdylaj, vëllezërit Bami; vëllezërit e klanit Duka, Erlis dhe Leonard Duka; Fatmir Hyseni alias Docja, etj.
Informacionet janë ende të pazyrtarizuara nga ana e SPAK, ndërsa burime bëjnë me dije se hetimet u ndoqën nga prokurori Alfred Shehu.
Emra të njohur për policinë dhe botën e krimit u vunë në shënjestër të këtyre operacioneve. Sipas burimeve, mësohet se një ndër banesat e kontrolluara është ajo e Albert Zajes në Larushk, i dënuar me 19 vite burg nga Apeli i GJKKO-së për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.
Po ashtu, burimet bënë me dije se kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e Valter e Durim Bamit, të cilët ndodhen në Dubai, si edhe në banesat e disa të fortëve të Niklës, të përfolur në botën e krimit.
Banesa e vëllezërve Duka në zonën e Freskut në Tiranë, gjithashtu ka qenë pjesë e kontrolleve nga Policia. RTSH mëson nga burimet se operacionet e sotme, të cilët zbritën në terren RENEA-n, FNSH-në, Policinë e Shtetit, janë vijim i operacionit “Metamorfoza”.