Uria, vdekjet dhe masakrat në Gazë, kryeministri i ri i Irlandës akuzon Izraelin: S’do heshtim ndaj këtyre krimeve
Në fjalën e tij të parë pasi u zgjodh kryeministër i Irlandës, Simon Harris ka dënuar Izraelin për masakrën dhe vdekjen e palestinezëve në Gazë.
“Në Gazë, jemi dëshmitarë të një katastrofe humanitare. Po shohim fëmijë, gra dhe burra të pafajshëm të uritur dhe të masakruar. Ne nuk kemi heshtur ndaj veprimeve të pafalshme terroriste të Hamasit në 7 tetor. As nuk mund të heshtim ndaj reagimit joproporcional të qeverisë izraelite”, u shpreh Harris para ligjvënësve në parlamentin irlandez.
Ai premtoi se Irlanda do të luajë rolin e saj në arritjen e armëpushimit dhe paqes së qëndrueshme në enklavën e rrethuar.
Qëndrimi i kryeministrit izraelit pason fjalimin e javës së kaluar, ku Harris mbajti një fjalim të ashpër ndaj homologut të tij izraelit, Benjamin Netanjahu.
“Kryeministri Netanjahu, populli irlandez s’mund të ishte më i qartë. Jemi të neveritur nga veprimet tuaja”, tha Harris.
Irlanda ka qenë një nga kritiket më të zëshme të luftës së Izraelit në Gazë, ku paraardhësi i Harris, Leo Varadkar i pati përshkruar veprimet si “diçka që i afrohet hakmarrjes”.
Izraeli nuk i është shmangur kundërpërgjigjes ndaj Irlandës. Ministri i trashëgimisë, Amihai Eliyahu, tha në nëntor se palestinezët në Gazë “mund të shkojnë në Irlandë ose në shkretëtirë”, mes komenteve të tjera tensionuese nga të cilat Netanjahu është përpjekur të distancohet.