Ursula von der Leyen mbyll vizitën në Tiranë- Zbardhet takimi me presidenti Bajram Begaj, çfarë diskutuan

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën zhvilloi një diskutim të hapur për integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe të ardhmen Evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Zonja von der Leyen vlerësoi angazhimin personal të Kreut të Shtetit për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe perspektivën unike që ky integrim ofron për paqtimin, integrimin ekonomik dhe prosperitetin e rajonit.

Presidenti Begaj përgëzoi Presidenten von der Leyen për vendosjen e integrimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE në krye të përparësive përgjatë mandatit të dytë të saj si Presidente e Komisionit Evropian.

Presidenti i Republikës çmoi angazhimin e Presidentes von der Leyen për të përshpejtuar hapjen e të gjithë kapitujve me Shqipërinë deri në fund të vitit 2025.

Presidenti Begaj shprehu bindjen se Shqipëria dhe institucionet shqiptare do të përmbyllin në kohë dhe me sukses kapitujt themelorë, duke ecur në këtë mënyrë më të njëjtin ritëm me aspiratën e shqiptarëve për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, Begaj i shprehu mirënjohje Presidentes së Komisionit Evropian për mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugëtimin evropian, teksa nënvizoi edhe rëndësinë e mesazheve në samitin e fundit të Berlinit, si dhe miratimin nga BE-ja të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Më tej, theksoi në këtë takim se Shqipëria do të vijojë të mbetet një nxitëse e  bashkëpunimit rajonal, duke shprehur bindjen e tij se nuk mund të ketë integrim evropian të rajonit pa një integrim ekonomik dhe bashkëpunim proaktiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një postim në median sociale X, më herët Von der Leyen falënderoi presidentin Begaj për takimin, duke e vlerësuar për angazhimin e tij personal për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjithashtu ajo vlerësoi punën e bërë nga kreu i shtetit për perspektivën unike për pajtimin, integrimin dhe prosperitetin e rajonit.

Ditën e djeshme, zyrtarja e lartë e BE-së zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama.

Pas konferencës së përbashkët për shtyp, më tej dy zyrtarët u bënë pjesë e ceremonisë së hapjes së Kolegjit të Europës.

Turneu institucional i presidentes Von der Leyen do të vijojë ditën e sotme në Maqedoninë e Veriut. Presidentja e KE-së do të vizitojë edhe Bosnjë-Hercegovinën, ku fillimisht pritet të shkojë në zonat e prekura nga përmbytjet e fundit vdekjeprurëse.

Nga Bosnja ajo do të shkojë në Serbi, ku do të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Millosh Vuçeviç, ndërsa të shtunën turneun i saj do të përmbyllet me një vizitë në Kosovë dhe Mal të Zi.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.