Vajza e Linda Ramës padit Berishën dhe 6 deputetët e tij për shpifje
Më një material 14 faqe të dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, Rea Xhillari, vajza e bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama ka paditur për shpifje ish- kryeministrin Sali Berisha.
Padia përfshin edhe 6 deputetët të tjerë si dhe një media që sipas Xhillarit në mënyrë të vazhdueshme kanë cënuar reputacionin dhe personalitetin e saj duke shpifur.
“Detyrohem të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të fabrikuar ka kohë ndaj meje që e ka fillesën në muajin gusht të vitit 2016, kur plot 8 vite më parë Sali Berisha më ka akuzuar se kam marrë pjesë dhe kam përfituar tendera publikë” shkruan ajo.
Në një kërkesë për interpelancë ndaj kryeministrit Edi Rama deputetët e opozitës e akuzonin Rea Xhillarin se kishte marrë pjesë dhe përfituar tendera publike.
“Ka përfituar 33 pagesa për kontrata publike në vlerën 1.9 miliard lekë”, thuhet në akuzat e PD.
Rea Xhillari i hedh poshtë këto akuza duke sqaruar: “Këto deklarime të rreme dhe tejet të rënda nga ana e të paditurve në drejtimin tim, janë një ndërhyrje kriminale në jetën time dhe i shërbejnë qëllimit të denigrimit pa asnjë provë të personit tim. Ato bëhen për të krijuar në publik imazhin e një personi përfitues nga afërsia familjare me kundërshtarin e tyre politik, përmes veprimtarish të cilat nëse do të ishin të vërteta, do të ishin objekt për organet e ndjekjes penale”, thekson Rea Xhillari.
Rea Xhillari e mbyll aktpadinë duke thënë se ajo “nuk ka asnjë armë tjetër për t’u mbrojtur nga pasojat e këtij perversiteti politik, social dhe ligjor, përveçse duke iu drejtuar drejtësisë”.