Vaksinimi kundër gripit të stinës / Ministrja Koçiu: 260 mijë doza shpërndahen në të gjithë Shqipërinë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e pranishme në Qendrën Shëndetësore nr. 1 në Tiranë, u shpreh se ,“vaksinimi kundër gripit stinor tashmë ka nisur dhe 260 mijë doza janë shpërndarë në gjithë Shqipërinë.
Duke i bërë apel sidomos grupeve të riskut për t’u drejtuar qendrave shëndetësore me qëllim që të bëjnë dozën e vaksinës kundër gripit, Koçiu tha se, “janë 260 mijë doza vaksinash që janë siguruar për të gjitha qendrat shëndetësore në mbarë vendin.
“Instituti i Shëndetit Publik së bashku me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor janë duke mundësuar shpërndarjen pranë mjekëve të familjeve, duke diagnostikuar gjithë grupet e riskuara. Janë të ftuar, dhe u bëj thirrje që t’u drejtohen qendrave shëndetësore me qëllim që të bëjnë dozën e vaksinës kundër gripit,” – u shpreh Ministrja Koçiu.
Doza e vaksinës është mënyra më e mirë për parandalimin e formave të rënda të gripit, dhe ndihmon për një jetë më të shëndetshme gjatë stinës së dimrit.
Në grupin e personave të rrezikuar bëjnë pjesë individët e moshës së tretë mbi 60 vjeç, Fëmijët nga 6 muajsh deri në 12 vjeç, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kardiovaskulare, personat me sëmundje pulmonare apo astmë bronkiale, diabetike, personat me sëmundje kronike të mëlçisë ose veshkave, të sëmurët me tumor/kancer, personat obez, personat me imunitet të dobët, etj.