Valiev i dhuron Shqipërisë medaljen e parë olimpike, reagon politika: Faleminderit kampion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për fitoren e siguruar nga mundësi që përfaqëson Shqipërinë në Lojërat Olimpike Paris 2024, Chermen Valiev, i cili rrëmbeu medaljen e parë olimpike.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Rama shprehet se medalja e Parë Olimpike në historinë tonë është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar.
“Medalja e Parë Olimpike në historinë tonë është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar nën drejtimin e Fidel Yllit, për të vërtetën që Shqipërisë jo nuk i ikin më talentet sportive të lindura këtu, po talente të lindura gjetkë e zgjedhin si atdheun e dytë për t’u stërvitur në kushte optimale e për t’u ngjitur në majat e botës, si edhe për fillimin e një historie të re që në vite do të sjellë fryte të gëzueshme falë lëvizjes masive sportive për fëmijët dhe investimeve masive në palestra e në infrastrukturë sportive. Faleminderit kampion”, shkruan në reagim Rama.
Presidenti Bajram Begaj, ka uruar mundësin Chermen Valiev, për rrëmbimin e medaljes së bronztë në lojërat Olimpike Paris 2024, e para për Shqipërinë.
“Shumë urime për Chermen Valiev që i dhuroi Shqipërisë medaljen e e parë olimpike!”, shkruan Begaj.
Edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehu mirënjohjen për sportistin e SK Tiranës dhe e vlerësoi si një arritje historike marrien e medaljes së bronztë.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka përshëndetur kampionin tonë olimpik në mundje Chermen Valiev i cili i dhuroi Shqipërisë medaljen e parë në historinë e Lojërave Olimpike.
“ Një dhuratë e merituar për Shqipërinë nga kampioni ynë, mundësi Chermen Valiev! Medalja e parë olimpike në histori, fituar në Olimpiadën “Paris 2024”, një arritje madhore e sportit shqiptar! Një frymëzim e detyrim për të vazhduar e rritur investimet e kontributet për sportin në shkolla, palestra e infrastrukturë sportive. Përgëzime me zemër Komitetit Olimpik Shqiptar. Faleminderit, kampioni Valiev, që na bëre kaq krenar!”, shkruan Spiropli.
Mundësi kuqezi i dhuron Shqipërisë medaljen e parë në historinë e Lojërave Olimpike. Valiev mposhti me rezultatin 6-2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.