“Vallja e shqipeve” kumbon në SHBA / Mes 148 flamujve edhe ai kuqezi në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar
Në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është zhvilluar për tre ditë me radhë Festivali Folklorik Ndërkombëtar. Pjesë e tij festivali u bënë grupe folklorike nga 148 shtete të botës, mes të cilave edhe Shqipëria, e cila performoi në ditën e tretë të festivalit.
Për herë të parë u valëvit edhe flamuri ynë kombëtar, nën hijen e të cilit u kërcye edhe “Vallja e Shqipeve” nga vajzat dhe djemtë me veshje kombëtare.
Festivali u ndoq prej më shumë se 450 mijë spektatorë që kishin pushtuar sheshet duke pritur me padurim performancat kulturore të shteteve të ndryshme të globit duke bërë folklorin “gjuhë ndërkombëtare”. Për të mbështetur Ansamblin Folklorik të Valleve Shqiptare që përfaqësoi vendin tonë në këtë festival u bënë pjesë shqiptarë nga Çikago, Bostoni, Virgjinia, Nju Jorku dhe Miçigani. Kontribues të rëndësishëm të këtij ansambli ishin aktivistët shqiptarë Anton Junçaj dhe Elvana Dedvukaj, të dy koreografë të mirënjohur në SHBA.
Në këtë prezantim ajo që ra në sy ishte kostumografia e larmishme tradicionale, e cila përfaqësonte një pjesë të mirë të trevave shqiptare.