Vatikani: Gjendja klinike e Papa Françeskut, e qëndrueshme

Vatikani ka bërë të ditur se gjendja klinike e Papa Françeskut, mbetet e qëndrueshme. Sipas Vatican Neës, Papa Françesku, 88 vjeç po trajtohet për pneumoni në spitalin Gemelli të Romës, ndërsa “gjendja e tij e përgjithshme klinike mbetet e qëndrueshme, duke përfshirë vlerat e zemrës, veshkave dhe gjakut”.
Papa Françesku është shtruar në spital që prej 14 shkurtit. Papa ka sëmundje kronike të mushkërive dhe i është hequr një pjesë e njërës mushkëri në rininë e tij.
Të hënën, Françesku pësoi dy kriza të frymëmarrjes, duke e penguar rikuperimin e tij. Mjekët hoqën një sasi të konsiderueshme mukusi nga mushkëritë e tij dhe e vendosën në një maskë joinvazive të ventilimit mekanik gjatë natës për të ndihmuar në frymëmarrjen e tij.
Ndërkaq të martën në mbrëmje, Selia e Shenjtë raportoi se Papa Françesku mbeti në gjendje të qëndrueshme, duke marrë frymë me ndihmën e oksigjenit shtesë pas krizave të frymëmarrjes një ditë më parë, megjithëse mjekët planifikonin të rifillonin përdorimin e një maskë ventilimi gjatë natës, shkruan The Newsweek.
Trajtimi i Papa Françeskut vazhdon ndërsa Vatikani përgatitet për Kreshmën, periudha solemne që fillon me të mërkurën e hirit dhe që çon në Pashkë më 20 prill.
Një kardinal është caktuar për të marrë vendin e Françeskut në festimet e Vatikanit, me një shërbim dhe procesion tradicional në Romë.