Vazhdojnë largimet nga Vllaznia / Redon Dragoshi e mbyll me kuqeblutë, gati edhe Asani
Ardhja e drejtuesve të rinj në stafin teknik të Vllaznisë po shoqërohet me ndryshime në organikën e futbollistëve të ekipit të parë. Bëhet fjalë për ato futbollistë, që në fakt më herët janë shigjetuar nga opinioni sportiv shkodran, si të panevojshëm për të mbajtur të veshur fanelën e Vllaznisë. Pas largimit të dy të mëparshmëve, futbollistëve maqedonas, Darko Dodev e Konstatin Cheshmedjiev, për të cilët u tha se janë zgjidhur kontratat me mirëkuptim, i larguari i radhës është mbrojtësi Redan Dragoshi.
Njoftimi zyrtar i KF Vllaznia
KF Vllaznia njofton mbylljen me mirëkuptim të marrëveshjes me futbollistin Redon Dragoshi. Klubi e falenderon lojtarin për kontributin e dhënë për skuadrën tonë dhe i uron suksese në karrierën në vazhdim! Faleminderit Redon Dragoshi!
Ndërkohë, burime pranë Klubit të Futbollit Vllaznia bëjnë me dije se në listën e largimeve nga skuadra kuqeblu janë edhe lojtarë të tjerë, për të cilët stafi teknik ka marrë vendimin që të mos vazhdojë më bashkëpunimin më to. Kështu, futbollisti i radhës që pritet të mbyll zyrtarisht bashkëpunimin me Vllazninë është edhe mbrojtësi tjetër Xhelil Asani. I ardhur me shumë bujë në radhët e kuqebluve, Asani nuk la gjurmë tek Vllaznia, aq më tepër kur për një periudhë të gjatë kohore, si rezultat i dëmtimeve, ai ishte në infermieri duke mos qënë në gjendje të kontribuojë për skuadrën kuqeblu. Ajo që e bën më të besueshëm largimin e Asanit nga Vllaznia, ka të bëjë edhe me vendimin e sotëm të stafit teknik, që edhe pse ishte OK nga ana fizike, nuk e ka përfshirë në listën e kontigjentit të skuadrës që janë të gatshëm për ndeshjen, Vllaznia-Skënderbeu.