Vdekja e Navalnit – Perëndimi kërkon shpjegim nga Putini. Protesta në të gjithë Evropën
Udhëheqësit perëndimorë po kërkojnë shpjegime nga presidenti rus Vladimir Putin për vdekjen e Alexei Navalni.
Vdekja e Navalnit ka shkaktuar stuhi reagimesh, ndërkohë që në shumë vende qindra qytetarë zhvilluan demonstrata për të nderuar Navalnin.
Navalni, 47 vjeç, vdiq ndërsa mbahej në një burg rreth 65 km në veri të Rrethit Arktik, ku ishte dënuar me 19 vjet nën një “regjim të veçantë”.
Qeveria britanike thirri diplomatët nga ambasada ruse mbrëmë për të bërë të qartë se autoritetet ruse mbaheshin “plotësisht përgjegjëse” për vdekjen e Navalny.
Londra bëri thirrje për një “hetim gjithëpërfshirës dhe transparent”, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për një hetim “të besueshëm”.
Kremlini i cilësoi këto akuza si “plotësisht të papranueshme”.
Nga Evropa në SHBA qindra njerëz u mblodhën mbrëmë për të nderuar disidentin.
Qindra njerëz, kryesisht të rinj, brohoritën “Putin, vrasës” dhe “Nuk do të harrojmë kurrë, nuk do të falim kurrë” në demonstratën e Varshavës jashtë ambasadës ruse.
Disa qindra njerëz gjithashtu u mblodhën në Berlin para ambasadës ruse me slogane të tilla si “Putini është një vrasës! Putin në Hagë”, ku ndodhet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Në Lituani, qindra njerëz që mbanin portretet e Navalny-t u mblodhën në memorialin për viktimat e pushtimit sovjetik.
Në anën tjetër të Atlantikut, përballë delegacionit rus në Uashington, u zhvillua një tjetër tubim. “Është një ditë tragjike,” tha Polina, një gjimnast 29-vjeçar, duke e quajtur Navalny “një simbol të lirisë, trimërisë dhe rezistencës”.
Qindra njerëz demonstruan gjithashtu në sheshin Dam, përpara pallateve mbretërore të Amsterdamit, si dhe jashtë ambasadës ruse në Hagë, në kangjellat e së cilës ata varën një portret të Alexei Navalny. Protestuesit mbanin pankarta ku shkruanin “Putini është një vrasës” dhe “Mos u dorëzo”.