Vdekja në fushë e Duamenas/ Kardiologia Duraku: Futbollistët me probleme kardiake s’duhet të luajn
Mjekja kardiologe, Eva Duraku ka deklaruar në emisionin “Jetë Shqiptare” se sportistët me probleme kardiake nuk duhet të sforcohen fizikisht. Duke iu referuar vdekjes tragjike të sulmuesit të Egnatias, Rafael Duamenas, Duraku tha se ai nuk duhet të kishte luajtur futboll.
“Sforcimi fizik, futbolli, sporti ndikojnë për keq tek pacientët që janë me sëmundje kardiake. Për këtë arsye, këtyre pacientëve nuk u lejohet të bëjnë sforcime të mëdha fizike jo vetëm të luajnë”, u shpreh kardiologia Duraku.
Ajo nënvizoi se ai ka pasur mbrojtje për sa kohë ka pasur të vendosur debrifilatorin, por që siç është bërë e ditur deri më tani, Duamena nuk e kishte të vendosur në trup teksa po luante me Egnatian.
“Pra, sigurisht që ai ka pasur mbrojtje deri në momentin që ka pasur debrifilatorin që është një aparaturë shumë e vogël që implantohet brenda me disa sonda të vogla që detektojnë në mënyrë automatike aritminë në momentin që fillon dhe e debrifilojnë dhe ai nuk e kishte më këtë pajisje këtu te ne që mund të kishte qenë jetëshpëtuese”, u shpreh Duraku.
Rafael Duamena humbi ndjenjat gjatë ndeshjes me Partizanin dhe u dërgua menjëherë në spital, por pavarësisht ndihmës futbollisti nuk arriti që të mbijetonte duke ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare.