Vdes në burgun e Reçit 45-vjeçari Eduard Koka, u arrestua 5 ditë më parë për drogë
Një i burgosur ndërroi jetë në paraburgimin e Reçit mëngjesin e kësaj të premte. Burime bëjnë me dije se viktima është 45-vjeçari Eduard Koka nga Lezha, i cili u arrestua 5 ditë më parë nga policia e Lezhës për drogë, maska dhe armë të ftohta. Mësohet se Eduard Koka mëngjesin e sotëm nuk është ndjerë mirë duke patur probleme me frymëmarrjen dhe temperaturë të lartë. Fillimisht atij i është dhënë ndihma e parë nga stafi mjekësor i burgut dhe më pas është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Shkodrës.45-vjeçari nuk ka arritur dot të mbijetojë duke ndërruar jetë pas disa orësh, pavarësisht tentativës së mjekëve për të stabilizuar gjendjen e tij shëndetësore.Eduard Koka u arrestua më 2 qershor të këtij viti nga policia e Lezhës dhe pas arrestimit u dërgua në paraburgim në burgun e Reçit për të pritur derisa gjykata të jepte një vendim për të. Ai u vu në pranga, pasi nga kontrolli fizik i kryer ndaj tij në lagjen “Gurra” në Lezhë, uniformat blu i gjetën një sasi lënde narkotike kanabis, të ndarë në doza, të gatshme për shitje. Më tej, në banesën e këtij shtetasi, në të njëjtën lagje u gjetën 7 maska, të cilat dyshohet se posedoheshin për qëllime kriminale, 2 mjete prerëse (thika) dhe 2 përforcues grushti.Policia dhe prokuroria e Shkodrës po hetojnë për të zbardhur të plota shkaqet e ndarjes nga jeta të 45-vjeçarit.