Veleçiku fiton Derbin me Murlanin/Java e 6-të e Kategorisë së Dytë, fiton edhe Tërbuni
Kampionati Kombëtar i futbollit për kategorinë e dytë luajti pasditen e djeshme ndeshjet e javës së gjashtë, ku në grupin A vemendjen kryesore e ka marrë derbi i qarkut Shkodër, Veleçiku-Murlani. Skuadra koplikase e drejtuar nga trajneri Besnik Duli ka dalë fituese me rezultaTin e thellë 5 me 0. Autorë të golave për Veleçikun kanë qënë Çokaj me penallti, Shekaj dy gola, Bzhetaj dhe Banushi. Ndeshja në fjalë e luajtur në fushën sportive të vëllezërve Duli të Koplikut është dominuar tërëisht nga skuadra vendase, e cila me rastet e tjera të krijuara mund ta thellonte edhe më tepër avantazhin. Ndërkohë, sa i takon skuadrave të qarkut Shkodër, një fitore të rëndësishme ka marrë edhe Tërbuni i Pukës, i cili këtë javë priti në stadiumin “Ismail Xhemali”, Naftëtarin e Kuçovës. 3 me 0 në favor të pukjanëve ka përfunduar kjo ndeshje, ku dy nga tre golat mbajnë autorësinë e shkodranëve Ajet Bizi dhe Vildan Kaçubela. Referuar ecurisë së takimit, goli i Bizit është shënuar në minutën e pestë, gol që mbyll pjesën e parë me avantazhin e pukjanëve 1 me 0, ndërkohë që në të 65-tën minutë dyfishon rezultatin Romario Tabaku. Në minutën e fundit të të gjithë ndeshjes është Kaçubela që shënon golin e tretë duke e mbyllur të gjithë ndeshjen me rezultatin e pastër 3 me 0 për pukjanët. Një fitore shumë të rëndësishme ka realizuar këtë javë edhe Besëlidhja e Lezhës, e cila e drejtuar nga trajneri Dritan Smajli mundi në transfertë Sopotin e Librazhdit me rezultatin 1 me 2. Pas javës së gjashtë, grupin A të kategorisë së dytë e kryeson Valbona e Tropojës, e cila ditën e djeshme fitoi në transfertë ndaj Shënkollit 1 me 5 duke mbërritur në kuotën e 18 pikëve, e ndjekur nga Besëlidhja me 15 pikë. Veleçiku dhe Tërbuni mbajnë vndin e 6 dhe të 7 me nga 10 pikë, ndërsa Murlani është i nënti me 4 pikë.